
Një makth po përjeton populli fqinj i Greqisë; makthin e mbivendosjes së krizës së kapitalit mbi vullnetin demokratik dhe dinjitetin e një populli krenar.
Kriza që po përjeton sot Greqia është kriza e mbarë Evropës, e industrialistëve gjermanë në kurriz të punëtorëve të fabrikës me paga të ngrira, e oligarkëve korporatistë italianë në kurriz të punëtorëve të fasonerive në Campagnia e Reggio Emilia, e kapitalistëve spanjollë ndaj punëtorisë intelektuale të diplomuar nëpër universitete; por mbi të gjitha kjo është kriza e spekulantëve financiarë të bankave evropiane mbi popujt e Evropës – kriza e ideologjisë neoliberale të sundimit të bankave të falimentuara mbi demokracinë popullore, kriza e bankofalimentokracisë.
Populli grek s’është veçse viktima eksperimentale e barrës së rëndë që i vendosi mbi supe Trojka Evropiane në bashkëfajësi me qeverinë greke të Papandreut dhe Samarasit, për një borxh të akumuluar në sajë të spekulimeve financiare të bankave dhe korporatave evropiane dhe vendase. Në vitin 2010 dhe 2012 qeveria greke nënshkroi memorandumet që i kushtuan kaq shtrenjtë Greqisë duke vendosur borxhin më të madh në historinë e njerëzimit mbi shpatullat e kërrusura të ekonomisë së falimentuar bankare greke. E kjo barrë e rëndë shkaktoi për 5 vite me radhë një tragjedi të vërtetë sociale, ku sot numërohen rreth gjysmë milion fëmijë që jetojnë nën nivelin e varfërisë, ku pensionistët rrëmojnë për ushqim rrugëve dhe ku të rinjtë arratisen në emigracion.
Populli grek zgjodhi demokratikisht më 25 janar t’i japë fund kësaj padrejtësie duke i dhënë votëbesimin popullor Syriza-s dhe mandatin për të luftuar krizën humanitare prej se ciles përfituan elitat politike dhe ekonomike vendase e evropiane dhe për t’i parashtruar Evropës një zgjidhje për rimëkëmbjen e ekonomisë greke, në emër të frymës së solidaritetit dhe të parimeve të Evropës së bashkuar.
Qeveria e Syriza-s u ndesh me çdo mjet të mundshëm, duke përdorur si arsyen dhe logjikën ekonomike ashtu edhe largimin relativ nga programi i saj me të cilin erdhi në pushtet, në emër të arritjes së një marrëveshjeje. Ajo propozoi taksimin e oligarkëve vendas për të përmbushur kriteret fiskale që kërkonte Trojka. Por ultimatumi i palës evropiane erdhi më 25 qershor: refuzim i çdo propozimi nga pala greke dhe dorëzim pa kushte.
Këtij kërcënimi qeveria greke iu përgjigj në mënyrën më demokratike të mundshme; duke iu drejtuar popullit me pyetjen: a pranoni të dorëzohemi? A dëshironi të vazhdojë politika e shtrëngimit dhe e lëngimit të popullin grek? A doni të pranoni një memorandum të tretë që do ju zhysë edhe më thellë në mjerimin ku ndodheni tashmë? Nëse po, atëherë ne heqim dorë nga qeveria. Por nëse rrëmoni në kujtesë do të gjeni një popull krenar që dikur u tha OXI fashistëve përtej detit. I cili në OXI-n e tij sot pohon dinjitetin popullor grek dhe mbarë-evropian. I cili nuk pranon të nënshtrohet ndaj presioneve të interesave të kapitalit që mashtrojnë popujt e Evropës dhe dënojnë popullin grek.
OXI i Greqisë sot është lapidari që do ngrihet nesër në Evropën e bashkimit solidar mes popujve. Sot bashkimi i mijëra qytetarëve evropianë bëhet përmes artikulimit të një fjale të vetme.
Organizata Politike iu bashkohet këtyre zërave, në mbështetje të popullit grek dhe të parimit të ngadhënjimit të demokracisë mbi interesat e spekulantëve dhe tregtarëve.
Ne sot themi OXI! Me shpresën se guximi juaj, i popullit dhe qeverisë greke, kundër kapitullimit të fajdesë ndërkombëtare dhe reformave të dhimbshme neoliberale, do të na japë shembullin e forcës dhe guximit qe dhe populli shqiptar të thotë “jo”-në e tij ndaj reformave të dhimbshme neoliberale dhe nënshtrimit të pakusht qeveritar ndaj kapitalit të huaj.
“Jo”-ja juaj është dhe “jo”-ja jonë.
Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve.