Komunikate publike “Per Universitetin”

Ditën e sotme, studentë të universiteteve publike të Shqipërisë kanë mbajtur një komunikatë publike përpara Korpusit Qendror të Universitetit, ku kanë njoftuar publikisht nisjen e një peticioni drejtuar Këshillit të Ministrave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për Arsimin e Lartë, në të cilin shtrohen një sërë kërkesash. Kjo është komunikata:

“Ne, studentë të universiteteve publike të Shqipërisë, jemi mbledhur sot këtu për të ritheksuar kërkesat tona dhe për të komentuar zhvillimet e fundit pas zaptimit të Korpusit Qendror Universitar më datë 27 tetor 2014.

E vlerësojmë tërheqjen e Këshillit të Ministrave nga njëri prej vendimeve të nxituara të datës 15 tetor, për vendosjen e kushtit të befasishëm të mesatares si kriter për fillimin e ciklit të dytë të studimeve. Në të njëjtën kohë, e mbështesim deklaratën e rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, kur thotë se kriteri i mesatares është kriter diskriminues për universitetet shtetërore, pasi Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk i përfshinte brenda kriterit universitetet private. Gjitashtu, u bëjmë thirrje drejtuesve të universiteteve shtetërore që të ndjekin udhëzimin e fundit të Këshillit të Minsitrave dhe ta heqin mesataren si kriter për vazhdimin e studimeve të ciklit të dytë.

Por, kërkesat tona nuk janë plotësuar të gjitha dhe as nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Është për të ardhur keq që rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, në vend që të solidarizohet dhe të mbështesë studentët e universiteteve shtetërore, deklaron se kërkesat tona nuk janë shqetësime edhe të studentëve të Universitetit Politeknik. Gjithashtu, e dënojmë faktin e dalë së fundmi, se janë drejtuesit e universiteteve shtetërore që i kanë propozuar rritjen e tarifave studimore Ministrisë, në vend që të bënin të kundërtën: të kërkonin rritjen e financimeve direkte nga pushteti qendror për universitetet shtetërore. Po ashtu, dënojmë faktin se Këshilli i Ministrave është tërhequr nga mbështetja financiare për universitetet shtetërore, duke i detyruar këta të fundit që të rrisin tarifat; dhe e cilësojmë si fyese deklaratën e zv.Ministrit të Arsimit, Arbjan Mazniku, që thotë se ulja e tarifave është e padiskutueshme.

Në këto kushte, kemi vendosur dhe sot po shpallim publikisht fillimin e nënshkrimit të një peticioni nga të gjithë studentët e universiteteve shtetërore. Peticioni do t’i drejtohet Këshillit të Ministrave dhe organeve kompetente për Arsimit të Lartë, dhe theksojmë se po organizohet nga studentë vullnetarë dhe jo nga Këshillat Studentorë. Në peticion kërkojmë:

1. Të anulohet në mënyrë urgjente rritja e tarifave të studimit për të gjitha nivelet e studimit për vitin akademik 2014-2015. Gjithashtu, kërkojmë ulje të përshkallëzuar drejt 0-s të tarifave të studimit në vitet në vazhdim.
2. Të anulohet në mënyrë urgjente pika 18 e Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 15 tetor 2014, ku studentëve u kërkohet pagesa e 30% të tarifës që në fillim të vitit shkollor. Për studentët është ekonomikisht e pamundur ta sigurojnë shumën e kërkuar brenda një afati kaq të shkurtër dhe pa asnjë lloj paralajmërimi paraprak. Gjithashtu, kjo pikë u kërkon studentëve të paguajnë dyfishin e tarifës për kredit kur ata nuk kanë arritur ta mbyllin në kohë diplomimin.
3. Kërkojmë rritjen e investimeve në infrastrukturën universitare, ku studentëve t’u sigurohen kushtet normale të ndriçimit dhe ngrohjes në ambjentet mësimdhënëse, biblioteka serioze, laboratorë shkencorë për praktikat mësimore; dhe hapësira të lira publike brenda ambjenteve universitare, si oborre dhe klasa të lira.
4. Kërkojmë njëhsimin e metodave vlerësuese nga të gjitha universitetet shtetërore, në mënyrë që detyrat e kursit, studimet dhe kërkimet shkencore të studentëve të reflektohen në rezultatet përfundimtare të studentëve.
5. Kërkojmë kordinimin e shtetit me universitetin, për t’u garantuar dhe ofruar studentëve praktika mësimore, programe trajnimi dhe ndërmjetësimin me tregun e punës.
6. Kërkojmë të bëhen transparente burimet, kostot dhe shpenzimet financiare të universiteteve, dhe të bëhen gjithashtu transparente aktivitetet dhe proçedurat e administratës së universiteteve.

U bëjmë thirrje të gjithë studentëve të universiteteve shtetërore dhe qytetarëve të interesuar që ta nënshkruajnë dhe të dalin vullnetarë për mbledhjen e firmave për këtë peticion.

Dhe deklarojmë: nëse kërkesat tona nuk merren parasysh deri në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, më datë 05.11.2014, në traditën më të mirë të mosbindjes civile dhe Vetëvendosjes në Universitet, do t’i përshkallëzojmë qëndrimet tona deri në zaptime të plota të universiteteve shtetërore.

Universiteti është i të gjithëve!

Studentë të universiteteve publike të Shqipërisë”

Skip to content