
Kërkesë zyrtare dhe publike për Rektoratin e Universitetit të Tiranës:
Nisma studentore Për Universitetin
Ne, studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, duke marrë shkas nga publikimi i Draftit për Reformimin e Arsimit të Lartë në Prill të 2014 e gjykojmë të domosdoshme t’ju drejtohemi me një kërkesë tonën ndaj këtij drafti.
Prej më shumë se dy muajsh, ne si grupi studentor i nismës “Për Universitetin” kemi organizuar tryeza publike tek Fakulteti i Shkencave Sociale (UT) dhe po ashtu pranë ambienteve të Korpusit Qëndror Universitar mes studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve mbi Idenë e Universitetit, mbi Raportin e tij me Shoqërinë dhe mbi Reformimin e arsimit të lartë. Si produkt i këtyre tryezave kemi arritur në përfundimin se është i domosdoshëm një qëndrim i unifikuar, zyrtar dhe publik i Universitetit të Tiranës, në të cilin mohohet drafti i paraqitur prej këtij komisioni si dokumenti bazë për reformimin afatshkurtër dhe afatgjatë të arsimit të lartë. Kemi dalë në këtë përfundim për arsyet e mëposhtme: keqkonceptimi i proçesit të reformimit të arsimit të lartë dhe mungesa e legjitimitetit të komisionit të krijuar, mangësitë formale të draftit dhe mendësia e gabuar që përshkon të gjithë dokumentin. Për ne i gjithë proçesi aktual është nisur për së mbrapshti.
Komisioni aktual është krijuar para diskutimit publik e nuk përfaqëson studentët dhe pedagogët e Universiteteve Publike dhe as shqetësimet e tyre. Sipas nesh një komision legjitim për reformimin e arsimit të lartë do të duhej të ishte produkt i një diskutimi të gjerë dhe intensiv publik i pikërisht këtyre dy aktorëve themelues të Universitetit. Në ketë mënyrë, komisioni do të përfaqësonte studentët dhe pedagogët, e do të reflektonte shqetësimet dhe zgjidhjet e tyre në formulimin e një drafti paraprak për reformimin e Arsimit të Lartë.
Për më tepër, Drafti aktual nuk e ka seriozitetin e duhur nga ana formale të një dokumenti bazë për reformimin afatgjatë të arsimit të lartë. Dokumentit i mungojnë referencat studimore të domosdoshme për çdo raport, ka probleme drejtshkrimore, ka formulime të paqarta dhe hedh kuturu fakte dhe opinione personale të pavërteta dhe të pabazuara si përshembull: “Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të Universiteteve Publike. Në të ardhmen komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të këtyre tarifave në buxhetin e IAL-ve.” Duke pasur parasysh se shkruesit e draftit janë figura akademike kjo është për të ardhur keq dhe duhet të dënohet publikisht.
Nga ana substanciale, dokumenti nuk merret me problematikat reale të arsimit të lartë. Kushtet e jetesës dhe kushtet e studimeve të studentëve në Universitetet publike do duhej të ishin baza e shqetësimit të një reforme të thellë në arsimin e lartë. Ndërkohë, ky draft flet qartë për rritje tarifash duke e konsideruar të papërfillshme rritjen e përvitshme aktuale dhe si zgjidhje jep zhytjen në borxhe përmes kredisë studentore. Më tej, Universitetet Publike e kanë më të domosdoshme se kurrë rritjen e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit. Për më tepër, në dokumentin e sipërpërfolur sugjerohet konkurrimi mes Universiteteve Publike dhe Private për fonde publike. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është organizimi i brendshëm i Universitetit, që sipas nesh është ekskluzivitet i universitarëve (pra studentëve-pedagogëve). Ndërkohë, në draft organizimi i universiteteve propozohet të bëhet me një frymë të tillë anti-demokratike dhe përjashtuese ku thuhet “Skema e zgjedhjeve duhet të ndryshojë në themel. Demokracia e gjerë nuk është zgjidhja perfekte për vende që nuk kanë demokraci të stabilizuar.” Gjithashtu dokumenti sugjeron vendosjen e bordeve të drejtorëve/menaxherëve/aksionerëve si aprovues apo mohues të politikave akademike të Universitetit dhe Universitarëve. Liria akademike dhe demokratizimi i brendshëm i Universiteteve Publike janë detyrë dhe e drejtë e vetë Universitarëve për t’i organizuar e jo të imponohen nga jashtë.
Kështu, duke marrë parasysh pikat e mësipërme, kërkojmë edhe njëherë që Rektorati i Universitetit të Tiranës të dalë me një qëndrim zyrtar dhe publik të unifikuar ku të mohohet drafti për reformimin e arsimit të lartë të publikuar nga komisioni i pavarur i krijuar me urdhër të kryeministrit si dokumenti bazë për reformimin e sistemit. Pozicioni jonë nuk është anti-reformë. Përkundrazi, reforma është domosdoshmëri. Ne po tentojmë të hapim mundësinë që reformimi i arsimit të lartë të vijë si produkt i një diskutimi të gjatë dhe intensiv të vetë Universitarëve (pra i studentëve dhe i pedagogëve) të Universiteteve Publike. Ndaj, pozicioni i qeverisë duhet të jetë ai i gatishmërisë maksimale për ta mbështetur planin e ardhshëm të universitarëve publik.
Theksojmë!
I japim Rektoratit një javë kohë të mbajë këtë qëndrim publik dhe zyrtar si Universiteti i Tiranës. Pas një javë, paralajmërojmë protesta masive para rektoratit ku forcës së argumentit do ti shtojmë edhe argumentin e forcës për t’ia detyruar këtij institucioni qëndrimin tonë. Ndërkohë, gjatë kësaj jave organizohen takime mes studentësh dhe pedagogësh në fakultete të ndryshme mbi kritikën ndaj draftit dhe ndarjen e mendimeve mbi reformimin e arsimit të lartë.