Historia e Egjiptit prej fillimit të protestave kundër Mubarakut më 25 janar 2011 e gjer në çastet që po i shkruaj këto rreshta më vjen si një personifikim i jetës së një njeriu të vetëm, Basem Mohsenit.
Bassem Mohseni u lëndua gjatë revoltës së fillimvitit 2011, me ç’rast qe rrëzuar diktatori Mubarak. Në nëntor 2011, Basemi humbi syrin e majtë gjatë protestave kundër ish-shefit ushtarak Tantavi dhe Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura. Në gusht 2012 ai u përball me një gjyq ushtarak. Në tetor 2012 iu bashkëngjit demonstratave kundër presidentit të ri Mursi, me ç’rast qe rrahur barbarisht prej përkrahësve të “Vëllazërisë Myslimane” (më tutje do t’i referohem thjesht si ‘V.M.’), Më 2013 ai themeloi lëvizjen aktiviste “Tamarod” (Rebelimi) dhe kryesoi një grup të armatosur në Suez, për t’iu bashkuar më vonë radhëve të protestuesve anti-Mursi. Pas grusht-shtetit, i vetëdijshëm se junta qe bërë shumë e egër ndaj popullit, ai iu bashkëngjit protestave krah për krah me përkrahësit e VM-së kundër brutalitetit policor. Ai nuk protestoi për rikthimin e Mursit në pushtet. Ai po protestonte duke bërë thirrje për drejtësi dhe për t’i dhënë fund dhunës së gjeneralëve. Më 20 dhjetor 2013, gjersa po protestonte, ai u qëllua në kokë, për të ndërruar jetë dy ditë më pas, më 22 dhjetor 2013 në spital.
Përjashto vdekjen e tij në fund, historia e Basemit mishëron edhe historinë e tri viteve të fundit të popullit të thjeshtë egjiptian; të rinisë rebele dhe antagonizmave e ulje-ngritjeve politike të Egjiptit që prej rrëzimit të Hosni Mubarakut. Vetëm se, në dallim prej Basemit, Egjipti akoma nuk ka vdekur!
Egjipti po vazhdon jetën e tij politike me gjithë ndeshtrashat që po i dalin rrugës. Ushtria ka marrë pushtetin dhe po bën “gjueti shtrigash” me simpatizantët e VM-së por edhe me liberalët properëndimorë dhe majtistët radikalë në vend. Ushtria po iu përgjigjet me persekutime e vrasje thirrjeve popullore që strumbullar kanë maksimën latine “Cedant arma togae” – ta dorëzojë ushtria pushtetin. Pikërisht te ky legjitimitet edhe qëndron dallimi mes ngjarjeve të cilave iu priu Xhamal Abdel Naseri në vitet 1952-1954 dhe asaj që ka ndodhur prej 2011-s e gjer më sot. Në fillim të viteve ’50, ajo që nisi si një grusht-shteti i një grupi të vogël oficerësh të rinj nacionalistë egjiptianë, shumë shpejt u shndërrua e u zgjerua në përmasa të një revolucioni në politikën e brendshme e të jashtme të Egjiptit me përkrahje të gjerë popullore. Kurse, më 2011 ajo që nisi si revolucion gjithëpopullor masiv, rrezikon të ngurtësohet në një grusht-shteti të një shpure gjeneralësh të babëzitur. Prapëseprapë, as ushtria e as VM-ja e 2014-s nuk janë ato të vitit 1954. Që të dyja janë shkëputur nga shtresa sociale që i lindi: shtresat e varfra të popullit egjiptian.
Çfarë ndodhi pas rrëzimit të Mubarakut dhe fitores së Vëllazërisë Myslimane?
VM-ja dhe presidenti i vendit i zgjedhur nga radhët e saj, Muhamed Mursi në krekosje e sipër fituan siguri sa për të materializuar një aleancë të heshtur ndërmjet VM-së, e cila do të bartte hegjemoninë ideologjike dhe ushtrisë, së cilës do t’i toleroheshin burimet e saj megalomane financiare dhe privilegjet e tjera, asnjëherë pa e dridhur strukturën të saj kriminale, të trashëguar prej epokës së Mubarakut. Në një situatë të atillë, humbësit më të mëdhenj u bënë liberalët propërëndimorë dhe, para së gjithash, ata që e nisën revoltën popullore kundër diktaturës së Mubarakut, rinia radikale majtiste, e cila nuk arriti të kapitalizonte politikisht revolucionin e frytet e tij, përkundër përçapjeve për t’u organizuar e rrjetëzuar, që prej sindikatave gjer te grupet feministe. Kumbarë e një aleance të tillë mes VM-së së Mursit e ushtrisë (me strukturën e oficerët e kohës së Mubarakut) u bë asokohe edhe vetë Uashingtoni zyrtar dhe think-tank’et amerikane, që vazhdimisht trumbetonin se në vendet arabe e myslimane, çdo tentativë e një shpërthimi të mirëfilltë popullor social do të fundërrohej medoemos në një islamizëm militant.
Po si vajti qeverisja e Mursit pas marrjes së pushtetit dhe postit të të parit të vendit? Gabimi i tij madhor ishte se ai nuk hoqi dorë nga qeverisja prepotente me atribute autoritariste dhe përjashtimore. Ai në vend se të lidhej me armiqtë e tij të djeshëm, ushtrinë, është dashur që të afrohej edhe më tutje me ata që nisën rrëzimin e Mubarakut, me të majtët dhe me liberalët. Ai zgjodhi marrëdhëniet e biznesit me ushtrinë dhe perandorinë e frikshme financiare e kriminale që përfaqësonte ajo. Dhe mendoi ta shfrytëzonte ushtrinë për të shtypur protestat popullore kundër tij, siç ishte rasti gjatë dimrit të 2013-s kur urdhëroi vrasjen e mbi 50 të rinjve antiqeveritarë.
Aleanca e tij e brishtë me ushtrinë, ta kujton naivitetin e Salvador Alendes në Kilin e fillimviteve ’70. Që të dyve, iu kthye bumerang besimi naiv se janë duke e kontrolluar ushtrinë edhe pa e shkatërruar strukturën e saj kriminale. Dhe që të dyve u kushtoi shtrenjtë. Dallimi mes Alendes e Mursit, ndër shumë aspekte tjera të formësimit ideologjik, qëndron edhe në një arsye shumë të thjeshtë: Alende nuk e kish përdorur paraprakisht ushtrinë kundër popullit të tij, kurse Mursi po. Madje edhe kur populli masivisht u ngrit kundër Mursit gjatë qershorit 2013, ai mendonte që me kryeneçësi të qëndronte në fron. Në fjalimin e tij të fundit si president, Muhamed Mursi në vend që të bënte thirrje për kompromis, dialog e pajtim kombëtar, foli për barrikada e gjakderdhje po qe nevoja. Një gjë duhet pasur parasysh në legjitimitetin moral e juridik të Mursit si president: ai u zgjodh president në maj 2012 me 14 milion vota, por u rrëzua pas protestës me numrin rekord të protestuesve më 30 qershor 2013, kur supozohet se ndërmjet 22 e 33 milionë egjiptianë dolën rrugëve të Kajros për të kërkuar largimin e tij. Ndonëse, Egjipti nuk pati nevojë në atë situatë për grusht-shteti, por për një revolucion që do ta përfundonin vetë masat e varfra të popullit egjiptian.
Liberalët dhe të majtët që përkrahën VM-në kundër apostujve të Mubarakut më 2012, u gjendën pak muaj më pas para dhunës shtetërore të Mursit. Po ata liberalë e majtistë që përkrahën juntën gjatë rrëzimit të Mursit, janë duke bartur mbi kurriz egërsinë e ushtrisë, pothuajse po aq ashpër sa edhe VM-ja. Pra, ajo që nisi si grusht-shteti kundër VM-së është kthyer në grusht-shteti ndaj të gjitha partive politike opozitare. Me tërë këto valë arrestimesh, persekutimesh e së fundmi edhe vrasjesh politike ndaj islamistëve e qytetarëve të të gjitha rrymave politike, Egjipti është shndërruar në një diktaturë ushtarake.
Edhe pse represioni i gjeneralëve kishte nisur menjëherë pas grusht-shtetit të 3 korrikut, shtypja u zyrtarizua më 25 dhjetor 2013, kur junta ushtarake e shpalli Vëllazërinë Myslimane si “organizatë terroriste”. Të gjitha OJQ-ve të lidhura me VM-në iu ndalua veprimi. U ndalua çdo aktivitet i VM-së. Anëtarët e saj duhet të dorëzonin kartat e anëtarësisë, në të kundërt mund të penalizoheshin deri në 5 vite burgim. Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, krahu politik i VM-së, u ndalua gjithashtu. Qeveria deklaroi se së shpejti edhe Hamasi do ta marrë po këtë epitet në Egjipt. Prej 3 korrikut gjer në fund të vitit 2013 janë arrestuar apo janë mbajtur në qendra ndalimi mbi 10.000 egjiptianë. Në mesin e tyre edhe vetë Muhamed Mursi. Junta ka ngrirë llogaritë bankare të mbi 1.000 organizatave, fondacioneve e instituteve islamike, përfshirë të vetë VM-së.
Por ndërkohë, përkrahësit e VM-së, të përkrahur edhe nga të rinj majtistë e liberalë, kanë protestuar vazhdimisht kundër juntës ushtarake dhe represionit shtetëror që ka ushtruar ajo dhe mu siç pritej, ushtria reagoi dhunshëm gjatë këtyre protestave, duke vrarë shumë të rinj protestues. Por, shumë simpatizantë të VM-së, në pamundësi për t’iu kundërpërgjigjur dhunës shtetërore të juntës, u sulën mbi minoritetin e krishterë të koptëve, duke djegur brenda pak muajve qindra kisha kopte. Kurse, laicistët, përkrahësit e ‘ancien regime’ dhe agjenturat e juntës kryen terror ndaj përkrahësve të VM-së, siç qe rasti i 27 korrikut 2013 në qytezën Nasr apo rasti i sulmeve ndaj shtëpive të prijësve të VM-së në qytetin e Mansurës më 24 e 25 dhjetor 2013.
Por a e ka humbur ndonjëherë ushtria pushtetin realisht në Egjipt? Prej shkurtit 2011 gjer tani, në mars 2014, Armata Egjiptiane ka udhëhequr vendin në 25 prej 37 muajve, qoftë si “Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura” apo duke e emëruar drejtpërdrejt presidentin. Pa e cekur këtu se edhe gjatë presidencës së Mursit, ushtria kishte rol shumë të madh politik.
Çfarë të lë përshtypje është reagimi ndërkombëtar pas grusht-shtetit të 3 korrikut 2013 e posaçërisht pas dhunës sistematike në vend, që me rastin e 528 të dënuarve me vdekje vetëm sa u përshfaq me fytyrën e saj të vërtetë të dhunës subjektive. SHBA-ja dhe ambasadori i saj në Kajro do të mundnin fare lehtë ta ndalonin grusht-shtetin e 3 korrikut, ose ndërmjet ushtrimit të autoritetit të tyre, ose nëpërmjet “kërcënimit të butë”, marrë parasysh që SHBA-ja ndan 1.55 miliardë dollar çdo vit si ndihma për Egjiptin. Ndonëse për disa analistë ushtria dhe veprimi i saj “destabilizues” i 3 korrikut i prishi planet amerikane, por fakti që politikat rajonale, sidomos ato në raport me palestinezët, Hamasin dhe Izraelin janë në përputhje me interesat amerikane e izraelite, bën që SHBA-ja të mos e dënojë as politikën e brendshme shtypëse të gjeneral al-Sisit, kreut të juntës. Madje sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, e ka përshkruar grushtin ushtarak si një “demokraci të rikthyer” (John Kerry: Egypt’s army was only ‘restoring democracy’: http://ift.tt/1iIXEOY). Por, analistët e politikanët amerikanë e evroperëndimorë derisa flasin për demokracinë liberale, harrojnë se historikisht nuk i kanë njohur rezultatet e shumë zgjedhjeve demokratike, e rrjedhimisht kanë shkelur mbi vullnetin e shumë popujve të botës, sidomos në rastet e vendeve myslimane ku vota popullore ka anuar pro partive islamike: në Algjeri më 1992, në Turqi më 1997, në Gaza më 2006 apo së fundi në Egjipt më 2013.
Grusht-shteti i 2013-s në Egjipt nuk është larg logjikës klasike të grusht-shteteve të tjera në histori. P.sh., sikurse në grusht-shtetin e vitit 1987 në Tunizi, edhe në Egjipt më 2013, alibia fillestare ishte “luftimi i terrorizmit islamist”, gjersa, pasi junta të jetë konsoliduar, fillon ofensiva e dhunshme ndaj çfarëdo zëri opozitar. Asesi nuk duhet harruar as rrjedhën, por edhe fundin e gjeneralëve të juntave nëpër botë: në Amerikën Jugore të viteve ’50-’70, Greqinë e 1974-s apo Pakistanin me gjeneralët e juntave, Zia ul-Hakun e Pervez Musharrafin.
Karakteristikë e juntave ushtarake është ndarja e tyre në dy lloje e që në spanjisht njihen si ‘erradicadoras’ versus ‘dialogistas’ (‘çrrjënjosësit’ dhe ‘dialoguesit’). Kjo paraqet një ndarje tipike të juntave ushtarake të vendeve latinoamerikane, por që është hasur edhe në disa vende tjera pas grusht-shteteve, si në Greqi (1967), Libi (1969), Turqi (1980), Sudan (1989) e Algjeri (1992). Bile edhe në Egjipt më 1952. Dialogista-t zakonisht preferojnë vetëm arritjen e sigurimit të ambientit të favorshëm për rikthimin e demokracisë parlamentare, madje me sa më pak represion gjatë periudhës tranzitore. Kurse, erradicadora-t, të nxitur nga ndjenja e superioritetit të fituesit, pretendojnë për lidership të plotë e afatgjatë ushtarak dhe për shtypje të çfarëdo zëri e përpjekjeje opozitare.
Se junta ushtarake po restauron ‘ancient regime’-in dëshmojnë edhe proceset e dyshimta dhe tendencioze gjyqësore pas grusht-shtetit të verës 2013. Gjykata e Apelit në Kajro shpalli të pafajshëm nga akuzat për korrupsion Ahmed Shafikun, ish-kryeministrin e fundit të presidencës së Mubarakut dhe dy fëmijët e këtij të fundit, Xhemal dhe Ala Mubarakun. E më herët e patën liruar prej burgut edhe vetë Hosni Mubarakun, ish-diktatorin e Egjiptit. Shumica e aparatçikëve të sistemit të vjetër po rikthehen në pozitat kyçe. Ndërkohë, në fillim të vitit 2014 kanë nisur gjykimin ndaj ish-presidentit Muhamed Mursi dhe qindra udhëheqësve e anëtarëve të VM-së e krahut të saj politik, Partisë së Lirisë e Drejtësisë.
Por tërë këto zhvillime dinamike të 38 muajve të fundit në Egjipt padyshim që kanë bartur edhe pasojat e veta në stabilitetin politik e ekonomik të vendit. Raportimet e shifrave dhe treguesve të gjendjes faktike në vend janë alarmuese. Arsimi fillor në Egjipt është renditur si më i dobëti në botë për vitin 2013. Në vitin 2010, 14 milionë turistë vizituan Egjiptin. Sot ky numër është përgjysmuar dhe ata pak turistë kryesisht vizitojnë resortet e rivierës së sigurt të Detit të Keq. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në vitin 2013 e renditi Egjiptin si vendin e nëntë për nga shkalla e rrezikshmërisë për arrestimin e gazetarëve.
Ajo që nuk guxon të nënvlerësohet në tërë këtë rreth është rëndësia historike, ekonomike, gjeopolitike, fetare e kulturore që bart në vetvete Egjipti. Egjipti historikisht ka bartur rol pararojë në ndryshimet politike e shoqërore në rajon. Egjipti nxiti arabët e tjerë në shkëputjen e hershme prej Perandorisë Osmane. Në Egjipt lindi pastaj teoria politike e nacionalizmit e socializmit arab në fillim të viteve ’50, që më pas ngjalli një valë të njëjtë ideologjike antikolonialiste e nacionaliste edhe tek popujt e tjerë arabë. Edhe Pranvera Arabe, ndonëse fillimisht zuri fill në Tunizi, vetëm pas shtrirjes e kurorëzimit që përftoi në Egjipt në shkurt 2011 ia doli të shtrihej edhe në vendet e tjera të rajonit. Rrjedhimisht, çfarëdo ndryshimi i trajektores politike në Egjipt, historikisht ka reflektuar njësoj edhe tek popujt e tjerë në rajon.
Egjipti ka edhe një pozitë të lakmueshme ekopolitike e gjeostrategjike. Dalja në det, kanali i Suezit, lumenjtë e vrullshëm të përdorshëm për prodhim energjie e ujitje dhe pozita e një strumbullari ndërmjet Evropës, Azisë e Afrikës si dhe ndërmjet Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe Afrikës Subsahariane i shtojnë rëndësinë këtij shteti dhe nxjerr në pah taktizimet e kalkulimet e shumta të Fuqive të Mëdha në raport me Egjiptin. Nuk duhet injoruar as kapaciteti ekonomik i këtij vendi. Së bashku me Algjerinë, Libinë, Nigerinë e Afrikën Jugore, Egjipti paraqet njërin nga “pesë gjigantët” e Unionit Afrikan. Këto pesë shtete kontribuojnë në 15% të buxhetit të gjithëmbarshëm të UA-së. Pra, bashkë me trashëgiminë e antikiteteve faraonike, ndikimet në botën arabe e pozitën strategjike, Egjipti ka një ndikim të madh ekonomik edhe në kontinentin afrikan. Duhen zbërthyer po ashtu një nga një: raportet e Egjiptit me Iranin, Izraelin, Turqinë, Arabinë Saudite; qasja ndaj Hezbollahut e Hamasit; qëndrimi politik mbi Luftën Civile në Siri; raporti i saj brenda “Lëvizjes së të Painkuadruarve”. Duke analizuar qasjen e juntës ndaj tërë këtyre problemeve, mund ta kuptojmë edhe përse Mursi humbi përkrahjen perëndimore në çastet kur më së shumti pati nevojë për të.
Por çfarë pritet të ndodhë në muajt në vijim? Gjer në qershor 2014 pritet të kemi zgjedhjet presidenciale e ato parlamentare. Kreu i juntës, gjeneral al-Sisi po gëzon përkrahje të gjerë, kryesisht prej ish-figurave eminente të regjimit të Mubarakut. Por një anketë e institutit “Zogby” e shtatorit 2013 pretendon se 52% e egjiptianëve nuk i besojnë al-Sisit, ndërsa 55% syresh nuk i besojnë më as Mursit. Madje, 58% nuk i besojnë as Mansurit, presidentit të përkohshëm që e caktoi junta në korrik 2013. Këta tregues flasin për mungesë legjitimiteti të të gjithë këtyre figurave të zhvlerësuara politike, mungesë legjitimiteti të ish-aleatëve të Mubarakut, refuzim ndaj dogmatizmit të figurave të VM-së, dhe për një nevojë për frymë të re në politikën egjiptiane.
Por, a ka realisht një forcë politike që bart idealet revolucionare të rinisë e popullit egjiptian? A ekziston një organizim politik emancipues e subversiv që do t’i artikulonte politikisht nevojat e kërkesat e shtresave të nëpërkëmbura sociale të popullit egjiptian? E majta egjiptiane asesi nuk po mund të ofrojë alternativë, për sa kohë nuk e ka profilizuar identitetin e saj dhe akoma gjendet mes aleancës me shtresat e varfra që simpatizojnë VM-në dhe aleancës së saj historike me koniunkturat e nacionalizmit etatist, prej Naserit deri tek al-Sisi.
I rëndësishëm është edhe vrojtimi i pozicionit politik aktual të rrymave islamiste e vehabiste të politikës egjiptiane. Vehabizmi është një rrymë krejt e vonshme në skenën shoqërore e politike të vendit. Madje edhe vetë universiteti prestigjioz-religjioz i al-Azharit ka pasur marrëdhënie antagoniste me rrymat vehabiste e salafiste, duke mbajtur historikisht një qasje me tendenca sufiste. Gjer në vitet ’60 e ’70 al-Azhari ka qenë i mbrojtur nga ndikimet vehabiste. Por gjithçka zuri të përmbysej pas krizës botërore të naftës së vitit 1973, me ç’rast shumë punëtorë e të papunë egjiptianë shkuan për punë në vendet arabe, prej nga u kthyen të indoktrinuar nga vehabizmi që pastaj u përhap shpejtë tek shoqëria egjiptiane.
Paskëtaj, Egjipti vazhdon të ndjejë kërcënimet e konflikteve sektare. Sektarizmi është shpikur si koncept nga brumi historik, ekonomik e kulturor për qëllime të monopolizimit politik. Përdorimi i kartës sektare, posaçërisht gjatë periudhave të mungesës së stabilitetit çon në kristalizimin dhe taborizimin e identiteve sektare dhe shërben për të rekrutuar njerëz në këto beteja brenda alibive religjioze. Siç dihet, në tërë Lindjen e Mesme, tensioni dhe dhuna politike ka thelluar hendekun sektar tek popujt e besimit islam, sidomos në raportet Suni-Shia.
Në dritën e sektarizmit mund të shohim edhe qasjen e ndërsjellë të vendeve të rajonit. P.sh., Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe autorizuan 8 miliardë dollarë si ndihma për Egjiptin menjëherë pas grusht-shtetit, pasi VM-ja vazhdon të shihet si kërcënim për feudalizmin dhe monarkizmin e familjeve mbretërore në rajon. E në anën tjetër, Katari, ndonëse është monarki, e përkrah VM-në e Hamasin, kryesisht në kuadër të përpjekjeve për t’i ikur tutelës saudite në politikën e jashtme.
Për fund, nuk mundem të mos e përmend një ngjarje tjetër që pothuajse ilustron historinë trivjeçare të popullit egjiptian. Në nëntor 2013, kryeministri i përkohshëm Beblaui inauguroi një monument memorial në sheshin Tahrir në kujtim të demonstruesve dhe të të rënëve të Revolucionit të 30 janarit (2011) dhe kryengritjes së 30 qershorit (2013). Monumenti, sipas shijeve të mia estetike, ishte i dobët, i shëmtuar, i pavlerë dhe jo mjaftueshëm i lartë. I tillë ishte edhe revolucioni në Egjipt. Nuk të linte asnjëherë përshtypjen se ishte përfunduar. Nuk ishte në lartësinë e duhur. S’e pati asnjëherë as materialin aq të fortë sa të qëndronte lart. Bëhej i pavlerë dhe shëmtonte veten me mizëri mizorish. Pak orë pas inaugurimit, monumenti u thye e u rrëzua. Siç do të rrëzoheshin aq shumë “fitore revolucionare” të Egjiptit, si ajo e janarit 2011, e qershorit 2012 e mbase edhe e korrikut 2013. Ky monument e përshfaqi dhe theksoi edhe polarizimin e skajshëm dhe shumë të prerë të shoqërisë egjiptiane. Ajo që ndërton njëra palë, duke e quajtur si fitore përfundimtare, e rrënon pala tjetër më po të njëjtin argument, dhe anasjelltas. Aq sa vështirë të pretendojmë sot nëse ekziston diçka e tillë si “populli egjiptian”. Këto na shpënë në pyetjen e vjetër nëse ekziston kombi si i tillë, si unison. A është kombi masë apo ide? A janë të gjithë qytetarët egjiptianë sot pjesë e asaj që (nuk e di nëse) mund të quhet akoma “komb egjiptian”? A janë pjesëtarë të të njëjtit komb tërë ata luftëtarë të armiqësuar gjer në vdekje mes vete?
Një është e sigurt: asgjë nuk ka ndryshuar në Egjipt përkundër të gjitha demonstratave, rrahjeve e vrasjeve. Ndryshimet nuk mund të pretendohet të kenë ndodhur nëse nuk ka kohezion social, sa kohë ka stratifikim të thellë klasor, sa kohë borgjezia e vjetër akoma ka monopolin ekonomik, sa kohë oligarkët ushtarakë kontrollojnë vendin, sa kohë që vazhdon privatizimi i çdo gjëje publike, sa kohë që nxitet politizimi i religjionit dhe religjiozimi i politikës e së fundi, për sa kohë që nuk e shohim të organizuar mirëfilli politikisht rininë radikale e të ndërgjegjshme politikisht në jetën shoqërore të vendit dhe në arritjen e qëllimeve të Revolucionit.